Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka theksuar se Bashkësia Islame e Kosovës i mbështet kërkesat e mësimdhënësve, por se greva duhet të ndërpritet sa më parë.
Teologu Abdullah Klinaku ka thënë se Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë si dhe Qeveria e Kosovës duhet ta marrin seriozisht kërkesën e myftiut Tërnava.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se BIK-u e ka pasur detyrim që të reagojë në këtë formë.
“BIK-u e ka pasur për detyrim të reagojë në këtë formë dhe ta nxitë sa më shumë këtë dialog, i cili është ngurtësuar ndërmjet SBAShK-ut dhe Qeverisë së Kosovës”.
“Konsideroj se të gjitha këto institucione duhet ta vlerësojnë reagimin e qytetarëve, në këtë rast edhe të BIK-ut, që përfaqëson rreth 96 % të qytetarëve të këtij vendi në kuptimin fetar”.
“Besoj se duhet ta marrin parasysh dhe të gjejnë zgjidhje sa më shpejt dhe të ndërpritet kjo barrikadë, e cila ka ndodhur midis institucioneve”.




















