Princi i fuqishëm i kurors në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman, është emëruar kryeministër i shtetit, një pozitë që tradicionalisht i takon mbretit.
Princi Mohammed, i cili ka vite që konsiderohet udhëheqës de facto i shtetit, ka shërbyer më parë si zëvendëskryeministër nën Mbretin Salman, si dhe si ministër i Mbrojtjes.
Pozitën e ministrit të Mbrojtjes e ka marrë tani vëllai i tij i vogël, Khalid bin Salman, i cili më parë ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ministritë tjera të rëndësishme, përfshirë atë të Jashtme dhe të Energjisë, vazhdojnë të kenë udhëheqësit e njëjtë, sipas një dekreti të Mbretit të Salman, që është publikuar nga agjencia zyrtare e Arabisë Saudite.
Princi Mohammed, i cili ka mbushur 37 vjet këtë muaj, është i pari në linjë për të marrë pozitën e mbretit.

Ai është bërë ministër i Mbrojtjes më 2015, një hap i madh drejt konsolidimit të pushtetit.
Arabia Saudite nuk deklarohet publikisht rreth spekulimeve për shëndetin e Mbretit Salman, 86-vjeçar.
Ai ka udhëhequr Arabinë Saudite – shtetin lider në botë për eksporte të naftës – prej vitit 2015, shkruan REL.
Më 2017, ai ka hedhur poshtë raportimet se planifikon të abdikojë fronin ashtu që Princi Mohammed të marrë pushtetin