Në kohën kur tërheqja e parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është sërish në diskutim, vlera e këtij fondi është më e vogël për disa miliona euro.
Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30% të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.
Projektligji që do ta mundësonte këtë, ka dalë në votim në Kuvendin e Kosovës në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje me arsyetimin se “do të shkatërronte strukturën pensionale të shtetit”.
Javën e kaluar, Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi ta dërgojë në Qeveri për mendim këtë projektligj, bazuar në një peticion të nënshkruar nga më shumë se 20.000 qytetarë të Kosovës, i cili i është dorëzuar Kuvendit më 15 korrik.
Nuk është ende e qartë se kur mund të japë Qeveria mendimin. Po ashtu, nuk dihet nëse projektligji do të arrijë sërish në Kuvend.

Në një anketë të mëhershme të Radios Evropa e Lirë, qytetarët pjesëmarrës janë shprehur për dhe kundër tërheqjes së mjeteve.