Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 24 vjetorin e masakrës në fshatin Abri e Epërme të Drenasit, ku forcat serbe vranë e masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, përcjell InLajmi.
Haradinaj tha se me 26 shtator të vitit 1998 barbarët ekzekutuan familjen Deliu në Arbri pa kursyer asnjë nga foshnja deri te plaku 94 vjeçar.
Gjithashtu ai tha se të paharruar do të jenë të gjithë ata të cilët sakrifikuan për Kosovën.
Postimi i plotë i tij:
26 shtatori shënon ngjarje të rëndësishme për historinë tonë, sa krenare aq edhe tragjike.

Me 1998, heroikisht do të bien në përballje me armikun, mësuesi Vesel Demaku me 2 nxënësit e tij, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari.
Po atë ditë, barbarët ekzekutuan familjen Delia, po në Abri, pa kursyer askënd nga foshnja disa muajshe e deri te plaku 94 vjeçar.
Me 1991, populli i Kosovës votoi masovikisht në referendum për t’u deklaruar për Kosovën e pavarur. Akt historik, që vulosi vullnetin tonë dhe i dha shtytje procesit për liri e pavarësi.
Të paharruar janë ata që sakrifikuan për Atdheun! /InLajmi/