Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi se do të heqë taksën e Rrugës së Kombit, të cilën e konsideroi “antikombëtare”.
“Edi Rama e vendosi atë taksë për të shprehur urrejtjen e tij ndaj ndërtimit të asaj rruge. Ai dërgoi grupin e tij për të bllokuar hapjen e tunelit të Kalimashit. Taksa dhe trau do të hiqen muajin e parë, në vendimet e para të qeverisë së ardhshme”, theksoi Berisha.
Më tej, Berisha nënvizoi edhe një gabim të pafalshëm të Partisë Demokratike, shkruan A2CNN.
“Gabimi më i pafalshëm historik i PD-së është bërë më 27 prill 2021, kur pas atyre zgjedhjeve të dhunuara masivisht, kreu i saj dhe udhëheqja nuk thirri protesta për rrëzimin e Edi Ramës, por, pasi ishte marrë peng nga Edi Rama, futi PD-në në një spirale shkatërrimtare, nga e cila u desh shumë kohë për të dalë”, deklaroi Berisha.