Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, gjatë vizitës në New York, takuan sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, përcjell InLajmi.
Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me sekretarin Stoltenberg. Sipas Presidentes Osmani qëllimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në komunitetin euroatlantik.
Presidentja Osmani në takim me shefin e NATO-s, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë, prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta.
Më tej, Osmani ka theksuar se këtij hapi duhet t`i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Në këtë kontekst, e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.
Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, ajo tha se Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë. Në këtë drejtim.
Gjithashtu ajo ka theksuar nevojën e bashkërendimit të shteteve demokratike në rajon me NATO-n për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të ndaluar veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj. /InLajmi/