Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës e kanë për detyrë të bëjnë vlerësimin nëse është e nevojshme të merren masa plotësuese si mbrojtje të afërt për kryeministrin Albin Kurti, pas kërcënimit për atentat.
Sipas tij, edhe misionet që janë prezentë në Kosovë mund të kontribuojnë në parandalimin e rasteve të tilla.
“Mediumi i Shqipërisë doli me disa të dhëna. Agjencioni Kosovar i Inteligjencës në bashkëpunim me agjenci tjera të rajonit, por edhe të superfuqive që janë prezent në misionin në Kosovë kanë informacione të mjaftueshme paraprake me qëllim që të parandalohet një rrezik i tillë i një atentati të mundshëm dhe gjithashtu kemi Policinë e Kosovës e cila ka njësitin e veçantë që bëjnë vlerësime për kërcënime të tilla dhe parasheh masa plotësuese për mbrojtje të afërt dhe eskortës. Nuk ka nevojë për një shqetësim të veçantë”, tha Ibishi.
Ibishit tha se nuk ka nevojë për shqetësim të veçantë, duke rekomanduar që Qeveria duhet të merret me detyra sa i përket çështjeve të brendshme.
“Shqetësim ka qenë atëherë kur ishte tentativa për grushtet dhe atentat për ish-kryeministrin e atëhershëm Gjukanoviq në Mal të Zi dhe falë këtij bashkëpunimi ajo u parandalua. Edhe në aspektin parandalues të inteligjencës që merr informacione paraprake, por edhe të reagimit nga Policia e Kosovës nuk ka ndonjë rrezik për ndonjë atentat në kryeministrin. Më tepër na duhet t’i kthehemi punëve çfarë i kemi detyrat e shtëpisë dhe të merremi me çështje tjera. Mendoj që këto çështje lidhen me sektorë të sigurisë qoftë inteligjencës apo Policisë që mbulojnë këto subjekte”, tha Ibishi.