Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekatarina Trendafilova, për herë të 2-të anulon vizitën e saj të paralajmëruar në Kosovë. E para herë u shënua më 4 korrik, para më shumë se dy muajsh, ndërsa e 2-ta që do të duhej të mbahej sot u anulua, por takimin e planifikuar, Trendafilova e zhvilloi virtualisht.
Në të 2-ja herët për të kundërshtuar vizitën e saj ishte planifikuar protestë nga Partia Social Demokrate (PSD)e mbështetur nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe kjo mbase ishte është anulimit të vizitave.
Qëndron Kastrati, nënkryetar i PSD-së, në emisionin RTK Prime, tha për Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, se kjo është një gjykatë politike dhe e padrejtë, prandaj ata edhe kishin paralajmëruar protesta kundër ardhjes në Kosovë, të kryetares së kësaj gjykate, Ekatarina Trendafilova.
“Normalisht që kjo nuk mund ta pranojë se gjykata është politike se atëherë nuk do të ishte politike, por ne e dimë këtë, duke e parë mënyrën si ka ardhur deri te themelimi i kësaj gjykate. Dihet se fillimisht neve dhe Këshillit të Evropës na u tha se ka ndodhur një trafikim organesh dhe ai raport u miratua në këtë Këshill, i propozuar nga Dick Marty, pastaj ne si shtet i Kosovës jemi detyrua që ta miratojmë themelimin e një gjykate të tillë, ndaj të cilës nuk kemi mundësi të bëjmë asgjë edhe në rastin kur shkelen të drejtat e njeriut”, tha Kastrati për RTK Prime.
Ai përmendi edhe faktin se shërbimi serb deshi ta vriste Dick Marty-n, për ta fajësuar këtë shoqëri, apo këdo që e ka mbështetur UÇK-në.
“Asnjë gjykatë nuk mundet të quhet e drejtë, që funksionon mbi parimet për të gjykuar vetëm një etni. Nëse ka pas krime të luftës ato nuk bënë të gjykohen mbi bazën e kombësisë , mbi njërën palë”, tha Kastrati.
Kurse, avokati Taulant Hodaj tha se është një e drejte e Qëndronit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që u takon me ligj të shpërfaqin mospajtimin dhe të protestojnë. Ai foli edhe lidhur me mosardhjen e kryetares, Ekatarina Trendafilova në Kosovë.
“Po, ajo siç e ka shpërfaq edhe vet ndoshta nuk ka ardhur për shkak të pengesave faktike. Në fakt ajo ka ardhur 2-3 herë në Kosovë dhe nuk ka pasur telashe, por prej momentit kur janë shfaqur zërat kundërshtues dhe një protestë e vogël, ajo nuk ka ardhur dhe i ka bërë online takimet”, tha Hodaj.
Ndërsa, gazetari Lirim Mehmetaj tha se e ka pritur se Ekatarina Trendafilova do të anulonte edhe këtë vizitë.
“Mua po më duket që strategjia e atij ekipi që përkujdeset për imazhin e Speciales është që të duket kështu në formë transparente, mirëpo të mos jetë e tillë. Sepse edhe kur realizojmë intervista, ose kur marrim përgjigje nga Gjykata Speciale janë përgjigje me gjuhë të thatë, teknike dhe burokratike, ose të pakuptueshme dhe zakonisht nuk është se tregojnë gjë. Mbase edhe njerëzit nuk e dinë, mirëpo Gjykata Speciale është vonë me secilin afat që ata vet e kanë përcaktuar. Madje janë vonë me një vit e gjysmë”, tha Mehmetaj.