Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York është takuar me presidentin e Estonisë, Alar Karis, ku diskutuan për thellimin e marrdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon e më gjerë, si dhe bashkëpunimin e mëtejmë, përcjell InLajmi.
Presidentja Osmani e falënderoi homologun estonez për mbështetjen e vazhdueshme dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Në takim me presidentin Karis, Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për ta avancuar integrimin euroatlantik dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën e përmbylljes urgjente të liberalizimit të vizave.
Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, i cili synon një marrëveshje përfundimtare, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.
Në raport me luftën në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dënuar pa mëdyshje luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit strategjik në fushën e digjitalizimit. /InLajmi/