Refugjati politik rus, Vladimir Osechkin, i njohur për kritikat ndaj presidentit Putin dhe themelues i projektit rus për të drejtat e njeriut Gulagu.net, ka rënë pre e një tentative vrasjeje në Biarritz të Francës.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave prokuroria lokale ka hapur një hetim për kërcënim në dëm të disidentit, por jo për tentativë vrasje dhe ka zgjedhur të mos e komentojë ngjarjen.
I cituar nga agjencia e lajmeve “France Presse”, Osechkin ka deklaruar se atentati ndaj tij u krye mbrëmjen e 12 shtatorit, teksa ndodhej në shtëpinë e tij në lokalitetin në jug-perëndim të Francës.
Sipas rrëfimit, 41-vjeçari ka qenë duke punuar në banesën e tij me dritën e fikur, të cilën e ndezi me ardhjen e bashkëshortes dhe fëmijëve.
Në atë moment, ka thënë ai në mur u shfaq një njollë e kuqe, e cila pasi lëvizi për pak sekonda, ndaloi në trupin tim.
U shtrimë menjëherë në tokë dhe fikëm sërish dritën, kur papritur dëgjuam disa të shtëna – ka vijuar rrëfimin e ngjarjes Osechkin.
Agjentët e policisë, të cilët mbërritën në vendngjarje, morën në pyetje edhe fqinjët e aktivistit, të cilët thanë gjithashtu se kishin dëgjuar disa të shtëna.
Osechkin, përmes organizatës joqeveritare të tij, ka denoncuar vazhdimisht korrupsionin dhe torturat në burgjet ruse, shkruan Euronews.al.
Në vitin 2001, ai publikoi rreth 1 mijë video me raste dhune dhe dëshmi të viktimave, të cilat bënë që autoritetet të nisnin një hetim.






















