Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka njoftuar se është miratuar ligji për dërgimin e Forcës e Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit, përcjell InLajmi.
Mehaj ka thënë se me këtë ligj rregullohen procedurat e dërgimit dhe tërheqjes së ushtarëve në operacione ndërkombëtare si dhe do të rregullohet çështja e kujdesit të familjes së ushtarëve përgjatë misionit.
Gjithashtu ai tha se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të përkushtuara për të mbushur të gjitha standardet për të qenë anëtar të NATO-s.
Postimi i plotë i tij:
Mirëqenia dhe përgatitja profesionale e Ushtrisë të Republikës së Kosovës është objekti ynë.
Si asnjëherë më parë ushtarakët tanë kanë marrë pjesë në qindra misione jashtë vendit, tani me miratimin e Ligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë Jashtë Vendit kemi krijuar dhe bazën ligjore përmes së cilës rregullohen procedurat e dërgimit dhe tërheqjes së ushtarëve tanë në operacione ndërkombëtare humanitare, misione paqeruajtëse, stërvitje dhe ushtrime të tjera ushtarake përkrah shteteve partnere, e po ashtu kemi rregulluar dhe çështjen e sigurimit shëndetësor për secilin ushtar në shërbim jashtë vendit, si dhe përkujdesin ndaj familjes së tyre përgjatë misionit.
Bashkë jemi të përkushtuar për të mbushur të gjitha standardet për të qenë shtet anëtar i NATO-s. /InLajmi/