Armenia tha se ministri i saj i Jashtëm do të takohet me homologun e tij azerbajxhanas në Nju Jork. Ky do të jetë takimi i parë i kryediplomatëve që nga shpërthimi i fundit i luftimeve vdekjeprurëse në kufi, që lanë të vrarë mbi 200 persona.
Takimi trepalësh midis ministrit të Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan, atij azerbajxhanas Ceyhun Bayramov, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pritet të zhvillohet më 19 shtator, tha Ministria e Jashtme armene.
Njoftimi për këtë takim vjen pasi Armenia tha se luftimet e javës së kaluar – më të këqijat që nga lufta 6 javore e vitit 2020 – lanë të vdekur ose të zhdukur 207 persona nga pala armene.
Shifra e fundit e prezantuar nga Armenia përfshin edhe dy civilë që janë të zhdukur, u tha në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Armenisë që më 19 shtator u kryesua nga presidenti armen, Nikol Pashinian. Në këtë mbledhje u tha se 293 ushtarë dhe tre civilë janë plagosur si dhe 20 trupa janë kapur.
Deri më tani, Azerbajxhani ka raportuar se në luftime i janë vrarë 79 ushtarë.
Më herët gjatë 19 shtatorit, zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, ka kritikuar kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, e cila më 17 dhe 18 shtator vizitoi Armeninë.
Ai tha se komentet e Pelosit në Armeni “sabotojnë përpjekjet diplomatike” për zgjidhjen e mospajtimeve midis Jerevanit dhe Bakusë.
Gjatë qëndrimit në Jerevan, Pelosi dënoi luftimet e fundit dhe fajësoi Azerbajxhanin për nisjen e luftimeve, duke thënë se Bakuja kreu “sulme të paligjshme dhe vdekjeprurëse” ndaj Armenisë
Që edhe para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për kontrollin e rajonit malor të Nagorno-Karabakut. Forcat etnike armene morën kontrollin e këtij rajoni të shkëputur më 1994. Por, më 2020, Azerbajxhani largoi forcat armene nga pothuajse tërë territori i këtij rajoni dhe nga qarqet përreth.
Në luftimet e fundit, të dyja shtetet kanë sulmuar njëra-tjetrën me artileri dhe mortaja në kufi dhe forcat azerbajxhanase madje kanë kryer sulme edhe brenda territorit të Armenisë, transmeton REL.
Rusia, që ka raporte të mira me të dyja palët, ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi pak kohë pas nisjes së luftimeve, por megjithatë përleshjet vazhduan.