Rusia në Ukrainë po lë pas ngado gjurmë vdekjeje, deklaroi presidenti Volodimyr Zelensky, teksa përcillte lajmin e zbulimit të një tjetër varreze masive, këtë radhë në qytetin e Izumit, kontrollin e të cilit forcat e Kievit e rimorën së fundi pas zmbrapsjes së ushtrisë ruse.
“Një varrezë masive është gjetur në Izum, në rajonin e Kharkivit. Veprimet e nevojshme procedurale tashmë kanë nisur. Buça, Mariupoli, tani fatkeqësisht Izjumi, nga të gjithë këto vende mbërrijnë të dhëna për krime lufte”, tha Zelenky.
Ata e kishin shfrytëzuar këtë qytet si pikë furnizimi në rajonin e Kharkivit. Pas largimit, forcat e Moskës kanë lënë pas sasi të mëdha pajisjesh ushtarake e municionesh. Rusia ende nuk ka bërë ndonjë koment për pretendimet për varrin masiv në Izum, por ajo vazhdimisht i ka mohuar akuzat për sulme ndaj civilëve. Serhiy Bolvinov, shef policor për rajonin e Kharkivit ka thënë se “disa njerëz kanë vdekur nga sulmet me artileri, disa kanë vdekur nga sulmet ajrore”.