Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq do të vazhdojë të premten konsultimet me përfaqësuesit e partive parlamentare për mandatarin për formimin e qeverisë së re, transmeton Inlajmi.
Është bërë e ditur se Gjukanoviq do të bisedojë të premten me përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët dhe me përfaqësuesit e Partisë Boshnjake.
Zyra për informim e Presidentit të Malit të Zi bëri të ditur se ftesa për konsultime iu është dërguar edhe udhëheqjes së Lëvizjes Qytetare URA dhe Partisë Popullore Socialistike, por ato parti kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë.
Gjukanoviq u takua të enjten me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Socialistëve, por përfaqësuesit e Frontit Demokratik dhe Malit të Zi Demokratik nuk iu përgjigjën ftesës, raporton RTCG.
Ndryshe, kujtojmë se më 19 gusht, Kuvendi i Malit të Zi votoi mosbesimin ndaj Qeverisë, kryeministër i së cilës ishte Dritan Abazoviq, lideri i lëvizjes URA. /InLajmi/Sh.O./