Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka prezantuar dhe ka dhënë disa detaje lidhur me Projektligjin për Pagat dhe Zyrtarët Publik, raporton InLajmi.
“Të dhënat nga raportet e progresit prej vitit 2008 deri në vitin 2020 theksojnë se administratat publike ka qenë e ndikuar nga ndërhyrjet politike në procesin e emërimeve, po ashtu në këto raporte nuk janë respektuar parimet e rekrutimit transparent dhe të bazuar në merita, gjithashtu në raporte vazhdimisht është theksuar nevoja për përmasimin e shkathtësive të shërbyesit civil dhe fuqizim të burimeve njerëzore. Nga viti 2013 është pasqyruar vazhdimisht mos zbatimi i vlerësimit të performancës dhe mungesa e llogaridhënies menaxhiale dhe që nga viti 2010 deri në vitin 2020 në këto raporte të BE-së është gjetur se personat me aftësi të kufizuar të komunitetit jo shumicë dhe gratë nuk janë ende të përfaqësuara si duhet në institucionet publike veçanërisht në pozitat e larta drejtuese. Në hulumtim e bërë nga Myer Salling dhe të tjerët në vitin 2018, 39% e shërbyesve civil kanë deklaruar se janë re rekrutuar falë lidhjeve partiake, dhe 44% janë deklaruar se janë pranuar me lidhje familjare apo shoqërore”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar se situatë paradoksale kemi edhe në rastin për shtesa ku dekan profesorë e të tjerë kanë marrë shtesa të cilat e kanë kaluar edhe pagën bazë.
Tutje , kryeministri Kurti ka folur për projektligjin për pagat dhe zyrtarët e lartë publik duke thënë se për të 2-ja këto projektligje është punuar mjaft gjithnjë duke adresuar të gjitha këto problematika dhe shumë të tjera, dhe pas konsultimeve mes institucioneve relevante të 2 projektligjet do të dalin në dëgjim publik.
“Jemi zotuar se synim kyç kemi krijimin e sistemit të njëtrajtshëm për përcaktim të pagës që do të sigurohemi të përcaktojmë parimin bazë për koeficientët, të përcaktohen kushtet për përfitim të pagës sekondare, dhe te vendoset barazi mes zyrtarëve bazuar në ligjshmërinë transparencës dhe paanshmërisë”, tha ai.
Kurti gjithashtu tha se këto 2 projektligje përbëjnë reformë rrënjësore në sektorin e pagave në sektorin publik dhe se gjatë hartimit të këtyre projektligjeve është treguar kujdes në përcaktimin e të drejtës në pagë që të aplikohet në sistem uniform për punonjësit duke eliminuar diskriminimin dhe padrejtësinë. /InLajmi/