Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu është shprehur e shqetësuar nga vazhdimi i grevës dhe mosmbajtja e mësimit në shkollat e Kosovës, përcjell InLajmi.
Ajo ka thënë se gjendja në vend është trishtuese sepse nxënësit po vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi.
Sahatçiu i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, që të bisedojë me SBASHK-un dhe të gjendet zgjidhja, pasi sipas saj vendi nuk ka nevojë për drama të reja dhe nxënësit duhet të fillojnë mësimin në shkolla.
Postimi i plotë i saj:
Edhe një e hënë tjetër iku e nxënësit tanë vazhdojnë në shtëpi. Por, jo të gjithë nxënësit. Vetëm ata që ndjekin shkolla publike. Vetëm ata që nuk munden me e përballu shkollimin privat. Çfarë po bëjmë? Po e theksojmë ndarjen e klasave: kush ka e kush nuk ka? Çfarë po presim? Kush po dorëzohet i pari? Kush po del më “i forti”? Trishtuese.
Kryeministër, uleni në tavolinë edhe SBASHK-un. Gjejeni zgjidhjen. Prandaj fitohet udhëheqësia. Nuk lihen në faj vartësit. Nuk pritet në pafundësi zgjidhje nga poshtë. Nuk kemi nevojë për drama të reja. Të sigurohemi që të hënën tjetër dhjetra mijëra nxënës e fillojnë ditën në banka të shkollës sikurse shokët e shoqet e tyre në shkolla private. /InLajmi/