Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u goditën nga sulmet terroriste, përcjell Inlajmi.
Krasniqi ka thënë se kjo goditje e madhe për SHBA-të e fuqizoi edhe më shumë luftën kundër terrorizmit.
Gjithashtu ai tha se në përvjetorin e 21 të kësaj ngjarjeje Kosova qëndron pranë popullit amerikan, për të kujtuar dhimbjen me pikëllim për ta.
Postimi i plotë i tij:
Sot, me dhembje kujtojmë 11 shtatorin e vitit 2001, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulmet terroriste, që morën jetën e rreth 3 mijë personave.

Megithatë, ajo që ishte menduar të ishte goditje për SHBA-të dhe botën demokratike, vetëm sa i bashkoi të gjithë, për tu ngritur më fuqishëm e më guximshëm se kurrë kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të më të shtrenjtës: Lirisë!
Frontit të përbashkët global kundër terrorizmit, që udhëhiqet nga SHBA-të tash e 21 vjet, i është bashkuar edhe Kosova.
Në përvjetorin e 21-të të kësaj ngjarjeje që ndryshoi drejtimin e historisë së re, qëndrojmë pranë popullit mik amerikan, për të kujtuar këtë ditë dhe për të ndarë dhembjen dhe pikëllimin me ta. /InLajmi/