Drejtori i Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq, i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të mendojë 2 herë kur të përpiqet të tregoj muskujt ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtar, transmeton InLajmi.
“Kjo nuk do tis sjell asgjë të mirë e as nuk do t’ia zgjidh problemet e reduktimeve energjetike, grevat e mësimdhënësve, pakënaqësitë e qytetarëve për situatën ekonomike në Prishtinë”, ka theksuar Petkoviq në një komunikatë për media.
Tutje ka theksuar Petkoviq se Albin Kurti është i fuqishëm vetëm për shkelje të marrëveshjeve, retorikës antiserbe, shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe është një demagog i fortë.
“Këto janë disiplina me të cilat asnjë njeri normal nuk dëshiron të krahasohet me të. Për çfarë demokracie flet Kurti kur ka mundësi që dhunuesi i një vajze të mitur nga Kosova të marrë të njëjtin dënim me burg si një i ri që donte të fesonte Vidovdanin. Nuk ka dyshim se 10 ditët e fundit, Kurti mundi vetëm të shikonte me zili se si Beogradi ishte qendra e nismës për Ballkanin e Hapur, se si mijëra serbë në veri të Kosovës e pritën me krenari dhe entuziazëm kryeministren e tyre Ana Brnabiq, dhe në fund detajet e vizitës madhështore të presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan në Beograd, pas të cilit iu premtua dorëzimi i avionit “Bayraktar” dhe të cilin Kurti mund ta shihte vetëm në video dhe foto. Një ego e lënduar, që kërkon rrugëdalje, kështu Kurti le të ushqehet me imazhin e të guximshmit nëpër rrjetet sociale duke u sjell vërdallë në veri të Kosovës dhe atje të shoh vendosmërinë e serbëve për të formuar Asociacionin , që nuk i pranojnë masat e tij të njëanshme dhe se ata e duan shtetin e tyre të vetmin, Serbinë. As xhipat e blinduar e as Njësia ROSU nuk mund ta ndihmojnë atje”, ka thënë Petkoviq specifikon komunikata.
Sipas tij, Beogradi do të vazhdojë të forcohet në çdo kuptim nën udhëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Të mbetet lider ekonomik në rajon përkundër të gjitha sfidave dhe krizave, të inkurajojë bashkëpunimin rajonal në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” dhe të investojë në komunitetet serbe në Kosovë prandaj ai ka mbështetjen e pandarë të popullit serb atje në veri”, tha Petkoviq. /InLajmi/