I pari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu, së bashku me ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, kanë vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë, përcjell InLajmi.
Aliut bëri të ditur që është takuar me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kreun e PDK-së Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, ish-deputetin Rexhep Selimin, ish-kreun e OVL-UÇK-së Hysni Gucatin, ish-luftëtarin e UÇK-sëNasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën.
Sipas tij të gjithë të lartë përmendurit po qëndrojnë të pathyeshëm njësoj si në luftë edhe para Gjykatës Speciale, Aliu është shprehur se të gjithë ish-krerët që po mbahen në Hagë po vazhdojnë ta mbrojnë Kosovën dhe lirin e saj njësoj si dikur.
Si përfundim kreu i Ferizajt tha se ish-ushtarët e UÇK-së mes emocionesh i dërguan të fala Kosovës, kështu duke uruar që të kthehen triumfues.
Postimi i plotë i tij:
Çlirimtarët, të pathyeshëm edhe në luftë edhe në betejën pranë Gjykatës Speciale. Lavdia e krenaria e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të triumfoj sërish!
Nga vizitat më emocionale e më të veçanta, patëm këto ditë, me profesorin e mikun tim të nderuar, Hajredin Kuçi, ku bashkë vizituam në Hagë, emblemat e lirisë, lavdisë, krenarisë dhe shtetformimit të Kosovës, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën.
Të gjithë, të pathyeshëm, krenarë e energjiplotë, po vazhdojnë betejën e sakrificën që nisën qysh në luftën për liri të Kosovës, duke u mbajtur edhe sot, padrejtësisht në gjykimin absurd të një lufte të pastër çlirimtare. Ata do të triumfojnë, do të triumfoj lufta jonë për liri, lavdia e krenaria e saj, që solli lirinë e Kosovës.
Kosova me shekuj vuajti robërinë. Edhe sot, bijtë e saj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë po mbrojnë themelet e lirisë sonë, luftën tonë të drejtë çlirimtare ndaj regjimit gjakatar serb.
Me të fala Kosovës nga çlirimtarët, mes emocionesh, përmbyllëm vizitën tonë, duke uruar që sa më shpejt, triumfues siç i pret çdo shqiptar, t’i kemi pranë nesh, aty ku me lavdinë e veprën e tyre, historia i rendit, në Kosovën tonë, liria e së cilës mban emrin e secilit prej tyre, Dëshmorëve të Kombit, veteranëve, invalidëve të UÇK-së, martirëve e gjithë brezit që sakrifikoi për liri. /InLajmi/