Gjiganti energjetik i Rusisë “Gazprom” thotë se ka nënshkruar një marrëveshje me Kinën për të filluar pagesat për furnizimet me gaz në Kinë në juanë dhe rubla në vend të dollarëve amerikanë, në shenjë të ngrohjes së marrëdhënieve midis Pekinit dhe Moskës, e cila është nën sanksionet perëndimore, transmeton InLajmi.
“Mekanizmi i ri i pagesës është një zgjidhje reciproke e dobishme, në kohë, e besueshme dhe praktike”, citohet të ketë thënë CEO i Gazprom, Alexei Miller.
Miller shtoi se do të “thjeshtojë llogaritjet” dhe “do të bëhet një shembull i shkëlqyer për kompanitë e tjera”.
Miller e informoi homologun e tij kinez për “statusin e punës në projektin për furnizimin me gaz nëpërmjet “rrugës lindore” – tubacioni i gazit “Fuqia e Siberisë” që lidh rrjetet e gazit rus dhe kinez, thuhet në deklaratën e Gazprom.
Ndryshimi është pjesë e një shtytjeje për të reduktuar varësinë e Rusisë nga dollari amerikan, euro dhe monedha të tjera të forta, e cila u përshpejtua nga sanksionet perëndimore në përgjigje të luftës në Ukrainë.
Kohët e fundit, Rusia ka punuar në ndërtimin e lidhjeve më të ngushta ekonomike me Kinën dhe vende të tjera joperëndimore, shkruan Aljazeera.
Presidenti rus Vladimir Putin në fillim të këtij viti i detyroi klientët evropianë të hapnin llogari bankare në rubla me Gazprombank dhe të paguanin në monedhën ruse nëse dëshironin të vazhdonin të merrnin gazin rus. Furnizimet u ndërprenë për disa kompani dhe vende që refuzuan kushtet e marrëveshjes, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë. /InLajmi/