Mbretëria e Bashkuar tani e tutje në duart e Liz Truss, për të marrë mandatin nga Mbretëresha Elizabet, 47-vjeçarja udhëtoi për në Skoci.
Kjo ndodhi pasi Truss u zgjodh lidere e partisë Konservatore, duke mposhtur rivalin Rishi Sunak.
Tashmë Truss do të nisë punën menjëherë, duke filluar me riformatimin dhe udhëheqjen e qeverisë britanike. Për të mundësuar këtë tranzicion, Boris Johnson udhëtoi i pari për në Skoci ku dorëzoi dorëheqjen në duart e monarkes 96-vjeçare.
Në fjalimin e lamtumirës, të fundit si kryeministër, Johnson mbrojti punën e tij dhe akuzoi drejtuesit e partisë konservatore se i ndryshuan rregullat në mes të lojës duke e detyruar të dorëhiqej, pavarësisht se siguroi për ta fitoren më të thellë zgjedhore në dekada.
Ndërkohë, Truss si kryeministre do të përballet me 3 kriza kryesore: të bashkojë konservatorët e përçarë, luftën në Ukrainë dhe krizën e rëndë ekonomike, shkruan A2CNN.

Ajo ka premtuar se që në ditët e para do të reduktojë taksat dhe do të ngrijë çmimin për energjinë elektrike duke lënë më shumë para në xhepat e britanikëve.