Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se ka mbajtur një takim së bashku me deputetët e grupit parlamnetar, anëtarët e kryesisë si dhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para fillimit të Sesionit vjeshtor parlamentar, përcjell InLajmi.
Ai ka premtuar se partia e tij do të angazhohet maksimalisht në të gjitha format dhe kapacitetet për të dhënë kontributin e vet, në të gjitha nivelet e vendimmarjes.
Krasniqi ka theksuar se gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë për shkak të keqmenaxhimit nga ana e Qeverisë aktuale.
Sipas tij, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve.
Gjithashtu deputeti thotë se PDK ka hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, pasi sipas tij tjetër rrugë nuk ka.
Postimi i plotë i tij:
Së bashku me anëtarët e Kryesisë, deputetët e Grupit Parlamentar dhe Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, dje dhe sot, kemi mbajtur takime të frytshme për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para fillimit të Sesionit vjeshtor parlamentar.
Gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Kriza ekonomike që po përcillet me një inflacion rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit për fëmijët tanë, mungesa e investimeve kapitale, diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave dhe shumë probleme të tjera – kërkojnë trajtim dhe veprime emergjente.
Si parti shtetformuese, lidere e opozitës dhe që udhëheqë me 8 komuna, ndërsa bashkëqeveris në 9 sosh, me prioritet interesin shtetëror e qytetar, PDK do të angazhohet maksimalisht në të gjitha format dhe kapacitetet për të dhënë kontributin e vet, në të gjitha nivelet e vendimmarjes.
Qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët dhe ua ka kthyer shpinën problemeve të tyre. Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Në Kryesi, Kuvend dhe nëpër Komuna – Partia Demokratike e Kosovës do të punojë dhe kërkojë që shteti dhe Qeveria të jenë më afër qytetarëve në periudhën e tyre më sfiduese pas luftës, ndërsa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, kemi hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim.
Tjetër rrugë nuk ka! /InLajmi/