Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa ka thënë se pakoja ekonomike, ka për qëllim blerjen e paqes sociale, pas krizës së krijuar nga Qeveria me sjelljen ndaj punonjësve të sektorit publik, raporton InLajmi.
Mustafa tha se edhe pse është krejt e natyrshme diçka e tillë nuk mund të pritet nga Qeveria e cila është duke operuar me logjikë impulsive e jo me plan të zhvillimit.
“Pas disa muajve shumë të rëndë të ballafaqimit me rritjen e çmimeve dhe me krizë energjetike, Qeveria e Kosovës u kujtua apo më mirë të them u detyrua nga pakënaqësitë qytetare për t’u marrë me rrethanat e krijuara, duke prezantuar një pako të masave ekonomike, përmes zotimit të shumës prej 150 milionë eurove për subvencionim të disa kategorive shoqërore, të cilat ndonëse janë të mirëseardhura si hap, janë të pamjaftueshme dhe nuk zgjidhin asnjë problem real si përmbajtje. Dhe është krejt e natyrshme që diçka e tillë nuk mund të pritet nga një qeveri e cila operon me logjikë të impulseve e jo me plan të zhvillimit”, theksoi ai.
Gjithashtu ai shtoi se Qeveria po e hapë kuletën e shtetit për të shpërndarë lëmoshë qytetarëve në mënyrë që ta zbusë mllefin e tyre.
“Me politika të tilla, Qeveria po dëshmon se bllokimin e investimeve kapitale e ka bërë për t’i grumbulluar depozitat në mënyrë që sa herë që të ketë krizë besimi te qytetarët apo kur partia në pushtet nuk i ka punët mirë ne terren, ta hapë kuletën e shtetit dhe të shpërndajë lëmoshë për ta zbutur mllefin e qytetarëve”, tha ai. /InLajmi/