Ish-këshilltari i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e analsiti Adri Nurellari ka kritikuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për lejimin e kryeministres serbe Bërnabiq të hyjë në Kosovë, kur e njëjta ishte shpallur ‘non-grata’ nga ish kryeministri Ramush Haradinaj për deklaratë raciste ndaj shqiptarëve përcjell InLajmi.
Ai i kujton kryeministrit Kurti patriotizmin që kishte dikur si opozitë, por edhe kohën kur rivalët politik i quante “tradhtar”, ndërsa thotë Nurellari, se tani shefi i qeverisë duhet të jap shpjegim, pse i hoqi ndalesën Bërnabiqit.
Tutje ka shtuar Nurellari se Bënabiq ishte “ndëshkuar” nga kryeministri Ramush Haradinaj me ndalesë për hyrje në Kosovë, për shkak të deklaratës së saj raciste se “Shqiptarët janë njerëz që vijnë nga mali”.
Postimi i plotë i tij:
Kryeministri Kurti, i cili gjatë opozitës e ka shitur veten si flamurmbajtës të patriotizmit dhe i ka quajtur rivalët politik “tradhëtar”, duhet të jap shpjegime kur dhe përse ka hequr ndalesën ndaj kryeministres serbe Bërnabiq.
Ana Bërnabiq është futur prej kryeministrit të mëparshëm në listën e personave të padëshiruar që nuk do t’iu lejohet hyrja në Kosovë për shkak të deklaratave të saja raciste duke na quajtur “ që kanë zbritur nga mali” mirëpo me sa duket Kurti e paska amnistuar dhe hequr ndalesën.
Kjo amnesti ndaj kryeministres serbe, vjen pas një tentative amnestie edhe më të rëndë që Kurti bëri në maj kur tha në Washington se “Millosheviqi nuk e pyeste Vuçiqin”.
Të 2 këto veprime relativizuese e shfajësuese shkojnë ndesh me interesat e Kosovës e shkojnë në përputhje me strategjinë hegjemoniste të Serbisë që po përpiqet të barazojë viktimën me xhelatin. /InLajmi/