Keylor Navas nuk u bë pjesë e Napolit për vetëm 500 mijë euro. Sipas informacioneve të “L-Equipe”, portieri kostarikan kishte pranuar që t’ë ulte pagën, në mënyrë që skuadra italiane t’i paguante 500 mijë euro dhe 500 mijë eurot e mbetura t’i paguante PSG. Antero Henrique, përgjegjës për negociatat te PSG, refuzoi kategorikisht.
Arsyeja kryesore pse ish-lojtari i Realit të Madridit nuk nënshkroi për Napolin ishte financiare. Deri në ditën e fundit të merkatos, napolitanët dhe PSG negociuan për transferimin e Keylor Navasit në Napoli, por refuzimi i PSG për të paguar gjysmën e pagës së tij e la atë, të paktën deri në janar, në Paris, shkruan Supersport.
Keylor tashmë do të konkurrojë me Donnarumman për vendin e titullarit. Të premten, Christophe Galtier, trajneri i PSG-së, tregoi edhe një herë se hierarkia në portë ka mbetur e paprekur. Domethënë italiani do të jetë titullar dhe Keylor zëvendësues. Nuk përjashtohet mundësia që në janar Napoli t’u rikthehet bisedimeve për të nënshkruar me tri herë fituesin e Champions League.