Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratimin e pakos për përballje me inflacionin, duke e quajtur si vendim antikushtetues, antiligjor dhe ofendues për popullin, përcjell InLajmi.
AAK thotë se “paqja sociale nuk blihet me 50 as me 100 euro”, pasi sipas tyre Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli.
Sipas tyre, Qeveria i ka bllokuar investimet kapitale dhe i ka lënë pa punë 60% të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik.
Tutje AAK kritikon kryeministrin edhe për sulmet që po u bën komunave duke shtuar se Kurti është më mirë të ndërrojë ministrat sepse komunat s’mund t’i ndërrojë.
AAK thekson se Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese.
Postimi i plotë i tij:
Paqja sociale nuk blehet me 50 e as me 100 euro
Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli.
Këto masa që sot janë propozu nga Qeveria, janë vërtetë mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike.
Të bllokohen investimet kapitale duke i lënë pa punë 60% të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen ato para për ndihma sociale, është veprim anti ligjor, antikushtetues dhe ofendues për popullin e Kosovës.
Sulmet që kryeministri u bën komunave për, siç shprehet ai, sulm ndaj shtetit, janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre.
Kryeministri më mirë është ta ndërrojë ministrin e vet, sepse komunat nuk mund t’i ndërrojë!
Pakoja e prezantuar nga Kurti, është mashtrim ordiner. Nuk kapërcehet kriza me lëmoshë. Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese. Paqja sociale nuk blehet me 50 e as me 100 euro! /InLajmi/