Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me sindikalistët e BSPK-së, me të cilët ka ndarë shqetësimet lidhur me grevën dhe mosekzekutimin e pagave si dhe daljen nga kjo situatë aspak e këndshme, raporton InLajmi.
Krasniqi ka akuzuar qeverinë për mosveprim në rastin e kërkesave të sindikalistëve, ndërsa tha ai se kryeministri Albin Kurti i ka mbyllur dyert e shkollave të Kosovës.
Për më tepër lideri i PDK-së tha se mosekzekutimi i pagave është vepër penale ndaj mësimdhënësve dhe askush nuk ka të drejtë me i ndalë pagat atyre.
“Dyert e shkollave në Kosovë i ka mbyllur Albin Kurti, ai e ka pasur mundësi që të dialogë që të gjendet zgjedhje. Mosekzekutimi i pagave është vepër penale. Nuk ka të drejtë askush ti ndalë pagat”.
Gjithashtu ai tha se qeveria duhet t’i kthehet dialogut dhe ti ekzekutojë pagat për mësimdhënësit, dhe nëse kjo nuk ndodh, Krasniqi tha se do të iniciojë një seancë të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera.
“Qeveria t’i kthehet dialogut, dhe t’i ekzekutojë pagat, nëse një gjë e tillë ne do të iniciojmë seancë të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera. Kurti nuk ka me guxuar me kthyer Kosovën në diktaturë, as nuk do ta lejojmë”. /InLajmi/