Zyrtarët e Komunës së Podujevës nuk janë duke mbajtur grevë, por kanë paralajmëruar se do t’i bashkohen grevës në rast se nuk ekzekutohen pagat e gushtit deri të hënën.
Në fakt, ndonëse ata nuk iu bashkuan grevës, siç vepruan kolegët e tyre nga komunat e tjera, zyrtarët e komunës së Podujevës mbeten pa paga. Në komunën e Podujevës, e cila po punohet normalisht, por zyrtarët e saj shprehen të habitur pse po ndëshkohen nga Qeveria.
“Këtu te ne punohet dhe ofrohen të gjitha shërbimet, mirëpo pagat nuk janë ekzekutuar, po presim. Nuk kemi asnjë sqarim, po presim”, ka thënë Makfire Zeka, zyrtare në këtë komunë.
Anëtar i kryesisë së Sindikatës së Punëtorëve të Komunës së Podujevës, Blerim Nishefci thotë se mosprocedimi i pagave është i papranueshëm.
“Ne punën nuk e kemi ndalë, jemi në shërbim të qytetarëve dhe do të vazhdojmë të punojmë në shërbim të tyre. Është për keqardhje që sot është data 2 e pagat nuk janë lëshuar ende. Njerëzit kanë obligime në banka”, ka theksuar Nishefci, punëtor i administratës së kësaj komune.
Ndërkaq, zëdhënësi i komunës, Fatri Zhitia thotë se janë në kontakt me Ministrinë e Financave.
“Sipas informacioneve që kemi problemi qëndron te fakti se katalogu për ekzekutimin e pagave për zyrtarët shkon në pako, administrata, shëndetësia dhe arsimi, andaj edhe ne presim një zgjidhje”, ka thënë ai në RTK.
Zyrtarët e kësaj komune prapa kamerave thanë se nëse Qeveria nuk i ekzekuton pagat deri të hënën, do të futen në grevë.