Analisti politik Armand Shkullaku ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm ta sakrifikojë pushtetin, në mënyrë që ta mbrojë parimin tek i cili ai beson.
Ai ka shtuar se si rezultat i mbrojtjes së parimeve nga ana e Kurtit, është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së dokumenteve.
“Serbia de fakto dhe de jure njeh dokumentet e lëshuara nga Republika e Kosovës për ata qytetarët që hyjnë në territorin e Serbisë”.
“Në këtë aspekt mendoj se kemi një hap përpara. Pra nuk kemi negociata për reciprocitet, por kemi zbatim të reciprocitetit. Tani kemi edhe sfidën e targave – mendoj që ka reciprocitet dhe mendoj se është një strategji shumë e mirë e qeverisë që ka arritur deri këtu. Mendoj që kjo është fryt i një politike që ka si orientim disa parime që i ka shpallur që në fillim”.
Sipas Shkullakut, ka pasur disa ngjarje përpara kësaj situate, ku gjithmonë presioni është bërë ndaj më të dobëtit.
“Kosova ka treguar se nuk është më faktor i dobët që pranon çdo gjë që i thonë ndërkombëtarët. Tani kemi një kryeministër që nuk i intereson të bëjë figurën e djalit të mirë me ndërkombëtarët, ku pranon gjithçka vetëm që të rrijë në pushtet”, tha ai në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
“Por, siç ka treguar edhe në raste të tjera, është i gatshëm të sakrifikojë pushtetin për të mbrojtur një parim tek i cili ai beson. A është i duhur ky parim? Kjo mbetet për t’u parë”, ka përfunduar Shkullaku.