Asociacioni i Komunave të Kosovës po mban një takim urgjent, pasi Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar pagat për sektorin publikë.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se si kryetar komunash, kanë pritur që Qeveria të mundësonte që më një shtator të fillonte mësimi, por se ka munguar komunikimi dhe dialogu.
“Nga sot, nga këtu apelojmë që të gjenden të gjitha rrugët që të zhvillohet dialogu mes Qeverisë dhe BSPK-së, në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe greva të përfundojë, dhe që të gjitha institucionet të kthehen në normalitetin dhe punën e tyre”, tha Aliu.
Në këtë takim foli edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se duhet të paditen përgjegjësit për mosekzekutim të pagave.
“Duhet padi për përgjegjësit që nuk i kanë ekzekutuar pagat. Qeveria nuk do të guxojë të mos ekzekutojë pagat, sepse ne nuk kemi dorëzuar lista në Qeveri, e as që na ka thënë të dorëzojmë lista”, u shpreh Lladrovci.
Megjithatë, Lladrovci tha se i kanë treguar Qeverisë se nuk mund t’i dorëzojnë listat, pasi vetë zyrtari që i bën listat është në grevë, përcjell Klan Kosova.
Edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se mesazhi i tij dhe i kolegëve të tij duhet të jetë që Qeveria dhe BSPK të ulen sa më parë dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën.