Numri i përgjithshëm i viktimave nga shirat dhe përmbytjet në Pakistan është rritur në 1.191, pasi sipas statistikave zyrtare, 27 persona të tjerë, përfshirë tetë fëmijë, humbën jetën gjatë 24 orëve.
Nga viktimat e fundit, 15 u raportuan në rajonin Sindhi, një nga Punjab, shtatë në Khyber Pakhtunkhwa dhe katër nga provincat e Balochistanit.
Në mesin e viktimave janë gjithsej 399 fëmijë dhe 246 gra ndërsa 3.641 persona janë të plagosur që nga mesi i qershorit, njoftoi Autoriteti Kombëtar pakistanez i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA).
Mbi 33 milionë pakistanezë në të gjithë vendin janë prekur nga reshjet e vazhdueshme dhe përmbytjet, njoftoi NDMA.
Reshjet e vazhdueshme dhe përmbytjet e furishme kanë shkatërruar tashmë një pjesë të madhe të infrastrukturës dhe tokave bujqësore në të gjithë vendin, përfshirë dhjetëra mijëra shtëpi, rrugë dhe ura, ndërsa është shkaktuar dëm i madh edhe për blegtorët me afro një milion kafshë të zhdukura.

Sipas NDMA-së, deri më tani mbi 468 mijë njerëz janë zhvendosur në kampet e strehimit dhe mbi 118 mijë njerëz janë evakuuar nga zonat më të prekura.
Përmbytjet e mëdha dëmtuan mbi 1.1 milionë shtëpi ndërsa mbi 372 mijë shtëpi u shkatërruan plotësisht.
Ndërkohë, vazhdon edhe ndihma humanitare për të mbështetur Pakistanin në këto përmbytje shkatërruese.
Mbrëmë, një tjetër avion turk me mallra ndihmash ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar Jinnah, Karaçi.
Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë, Cemal Sangu, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe NDMA-së i mirëpritën avionin turk.
“Mund të theksohet se deri më tani, 7 fluturime ndihmash nga Türkiye kanë zbritur në Pakistan duke transportuar ndihma me mallra për të prekurit nga përmbytjet”, tha Asim Iftikhar, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.
Shtyhet vizita e kryeministrit të Pakistanit në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Pakistani është mirënjohës ndaj qeverisë dhe popullit të Turqisë për mbështetjen dhe solidaritetin e tyre në këtë moment të rëndë kur kemi nevojë”, tha ai në një deklaratë.
Vizita e planifikuar e kryeministrit pakistanez, Shehbaz Sharif për më 3 shtator në Emiratet e Bashkuara Arabe është shtyrë për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Duhej të vizitoja EBA-n më 3 shtator me ftesë të presidentit Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Ne vendosëm reciprokisht ta shtynim vizitën në mënyrë që të mund të fokusohesha në aktivitetet e vazhdueshme të shpëtimit dhe ndihmës”, shkroi Sharif në Twitter.