Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka vlerësuar të tmerrshëm rastin e dhunimit të 11-vjeçares nga 5 persona të dyshuar në Prishtinë. Ai ka thënë se dukuritë e tilla kriminale duhet të luftohen me vendosmëri të çeliktë nga e gjithë shoqëria.
“Ne gjithmonë jemi lavdëruar me të drejtë se kemi një shoqëri dhe familje të shëndoshë. Fatkeqësisht rastet e këtilla na bëjnë të dyshojmë për këtë. Duhet të këndellemi, të mobilizojmë të gjitha forcat që rastet e këtilla jo vetëm të mos përsëriten por që të gjitha këto dukuri me ngulm dhe vendosmëri të çeliktë të luftohen nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë. Nga familja, nga lagjja, nga shkolla, nga policia, nga prokuroria, nga gjykata, nga media, nga të gjithë, për shkak se shoqëria është e të gjithëve”, ka theksuar ministri.
Sipas tij këto probleme janë më të thella se sa ajo ku segmente të caktuara të institucioneve do të mund ta luftonin suksesshëm.
“Tash nuk po dua që të iki nga përgjegjësia që institucionet e sigurisë e kanë. Kur flasim për recidivist kjo e forcon atë argumentin që e thashë që ky është një problem ku duhet të merremi e gjithë shoqëria. Nëse e kemi reicidivist për nga veprat, ku janë dënimet meritore? Njëri prej të arrestuarve ka 24 vepra penale. Të gjithë të arrestuarit kanë vepra penale paraprakisht. Dhe të lirë? Po. Siç duket, si në rastet e tjera, drejtësia ka dështuar edhe në këtë rast, meqenëse njërit prej tyre disa lëndë ju kanë parashkruar dhe nuk janë marrë vendime meritore”, ka shtuar Sveçla.
Ai ka thënë se sikur ekziston një tendencë që të tregohemi më të butë se sa që duhet për kriminelët e tillë, teksa ka thënë se ka edhe dështim pastaj edhe në rehabilitimin e këtyre kriminelëve.
“Të gjithë e dimë se burgu nuk është vetëm ndëshkim por edhe shancë për rehabilitim. Dhe nëse ti ke vazhdimisht recidivist ti nuk po rehabiliton por po kalitë kriminel”, ka nënvizuar ministri.
Ai ka thënë se në këtë rast nuk mund flitet për prostitucion sepse kemi të bëjmë me një fëmijë 11-vjeç.
“Nuk kemi të bëjmë me prostitucuon nëse ai nuk është i bërë me vetëdije të plotë qoftë nga viktima qoftë nga pala kriminale. Po flasim për dhunim, kaq. Për hir të viktimës nuk do të flisja më shumë për rastin më shumë, por për fenomenin dhe si ta tejkalojmë këtë situate dhe si t’i parandalojmë këto situata. Kur u vra Marigona tham mjaft, por rastet e krimeve makabre po na përsëriten. Kjo nënkupton dështim të gjithë shoqërisë. Pra, duhet të mobilizohemi të gjithë ata faktorë që i përmenda më herët. Askush nuk duhet të ndihet i amnistuar nëse një hallkë e zingjirit është duke dështuar. Nëse dështon zingjiri pasojat i vuajmë të githë dhe fajtorë jemi të gjithë”, është shprehur Sveçla.
Ai ka paralajmëruar ndryshime shumë të mëdha në policin e Kosovës, si në mentalitetin e këtij institucioni, ashtu edhe si strukturë por edhe si emra.
Sveçla i ka vlerësuar dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Samedin Mehmeti dhe drejtorit të burgjeve për të mitur, Ali Gashi, si akte njerëzore, por ka thënë se nuk duhet të mjaftohemi me kaq, shkruan RTK.
Ai ka thënë se reagimi i policisë për rastin e 11-vjeçares ka qenë shembullor, pasi të 5 kriminelët janë arrestuar në afat rekord, por sipas tij duhet të gjithë të punojmë në parandalim e akteve të tilla.