Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se greva e shpallur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk është duke u mbajtur në të gjitha institucionet e Kosovës, raporton InLajmi.
Nagavci ka kërkuar që të mos ketë grevë në institucionet e arsimit, me që ajo i ka pritur në takim SBASH-un sa herë që kanë kërkuar.
“Edhe pse kjo grevë u shpall nga BSPK-ja, e njëjta nuk është duke u mbajtur në të gjitha institucionet. Sipas informatave tona, mbi 90% të institucioneve publike nuk po mbahet. Andaj unë kërkoj që të mos ketë grevë as në institucione arsimore. Ju siguroj se gjatë mandatit tim i kemi bërë të gjitha sigurimet e mundshme për punëtorët e arsimit. I kam pranuar në takim sa herë që ka kërkuar SBASHK-u. E njohim organizimin sindikal, por duhet të përmendim se respektimi i ligjit nënkupton atë në tërësi dhe jo pjesërisht”, tha ministrja e Arsimit.
Gjithashtu ajo e bëri një lutje për punëtorët e arsimit që të lexojnë ligjin, pasi që MASHT-i, tha ajo i ka tejkaluar kërkesat e sindikatave në projektligjin për paga.
“I lus punëtorët e arsimit ta lexojnë ligjin në plotëni. Kemi tejkaluar edhe kërkesat e sindikatave në projektligjin e pagave. Është përmirësuar pozicionimi i stafit në sektor arsimor që është lënë anash nga ligjet e kaluara”. /InLajmi/