Rusia të mërkurën paralajmëroi Bashkimin Evropian për pasoja, pasi kjo e fundit pezulloi marrëveshjen për lehtësimin e vizave midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, transmeton InLajmi.
“Shkelja, anashkalimi apo tërheqja e BE-së nga marrëveshja për lehtësimin e vizave me Rusinë nuk do të mbetet pa pasoja. Ne do të vendosim vetë nëse masat do të jenë simetrike, asimetrike apo diçka që BE-ja nuk e pret”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko.
Pas një takimi jozyrtar 2-ditor në Pragë, ministrat e jashtëm të BE-së arritën të mërkurën konsensus politik për të pezulluar plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se vendimi “do të reduktojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara nga vendet anëtare të BE” duke qenë se procesi do të bëhet më i vështirë dhe do të zgjasë më shumë, shkruan CNN.
Vizat tashmë ishin të kufizuara për disa kategori shtetasish rusë. /InLajmi/