Sipas Partisë Socialdemokrate marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke të dokumenteve të identifikimit, është pranim i dokumenteve të strukturave paralele të Serbisë, raporton InLajmi.
PSD ka kundërshtuar këtë marrëveshje përmes një aksioni simbolik protestues në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa kanë mbajtur në duar pankartat me mbishkrimet “Strukturat paralele u legalizuan, rroftë Qeveria”, përmes së cilave edhe shprehen pakënaqësinë për marrëveshjen e në përgjithësi me rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi.
I pari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e cilëson të dëmshme marrëveshjen e letërnjoftimeve, meqë sipas tij, tashmë janë legalizuar dokumentet e strukturave paralele serbe.
“Dialogu Kosovë-Serbi ka pësuar goxha disa ndryshime e zhvillime por në pjesën dërrmuese janë negative. Është hera e parë që kemi dakordim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra janë marrë vesh e nuk kanë treguar për çka janë marrë vesh por e kanë bërë një marrëveshje që në fakt është e dëmshme sepse marrëveshja e re i ka legalizuar e i ka pranuar dokumentet e strukturave paralele të Serbisë”, tha Molliqaj. /InLajmi/