Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka ndarë dhimbjen me familjarët e të zhdukurve, ndërsa fajtorë për këtë ankth e pritje çerekshekulli tha ai është Serbia që nuk respekton të drejtën humanitare, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se në gjithë këtë situatë janë familjarët e të zhdukurve ata që vuajnë çdo ditë dhe luftojnë me pasojat e kësaj situate të krijuar.
I pari i PDK-së, ka thënë Serbia është shkaktari i zhdukjes së tyre, e cila ende po refuzon ta përmbushë obligimin human.
Krasniqi, kujton se nga lufta në Kosovë mbeten mbi 1.600 persona të zhdukur.
Postimi i plotë i tij:
Në Kosovë, aktualisht figurojnë si të zhdukur 1.641 persona nga lufta e fundit.
E prapa secilit prej tyre, janë familjet të cilat vuajnë nga ankthi dhe pasiguria e mosnjohjes së fatit dhe vendndodhjes së më të dashurve të tyre.
Çdo ditë, ato luftojnë me pasojat e shumta që krijon kjo situatë, përveç dhembjes së madhe që vetëm shtohet pa përgjigje.
Fatkeqësisht, Serbia, si shkaktare e zhdukjes së tyre, akoma nuk ka treguar për fatin e qytetarëve të Kosovës që janë zhdukur me dhunë, duke refuzuar ta përmbush këtë obligim legal, por para së gjithash human.
E drejta ndërkombëtare humanitare e kërkon këtë, Kosova e kërkon këtë, familjet e personave të zhdukur në vendin tonë e presin këtë.
Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, qëndrojmë pranë familjeve kosovare që akoma presin një lajm për më të dashurit e tyre. /InLajmi/