Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se si parti e mbështesin marrëveshjen që sjellë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë mbi kushtetutshmërinë dhe sovranitetin territorial, raporton InLajmi.
Këto komente Abdixhiku i bëri pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Abdixhiku tha se nga Kurti u informuam për detajet nga takimi i fundit në Bruksel ndërkohë që biseduam edhe për procesin e dialogut në vazhdim.
Ai tha se kryeministrit i kërkuam të jetë i guximshëm për të kërkuar marrëveshjen që sjell njohjen e Kosovës.
“U informuam për dialogun edhe pse kjo ftesë vjen 2 jave pas dialogut. I kërkuam kryeministrit të jetë i guximshëm që të shkojë në dialog, të kërkojë marrëveshje përfundimtare që sjell edhe njohjen e Kosovës”, tha Abdixhiku për të shtuar kështu se si opozitë kërkuam që kryeministri të raportoi në kuvend para dhe pas dialogut.
“Ne e mbështesim një marrëveshje e cila sjell njohjen e Kosovës, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe sovranitetin territorial. Në fund i kërkuam që të raportoje në Kuvendin e Kosovës, para dhe pas dialogut. Presim që procesi i dialogut të marrë hapa të rinj zhvillimor”, theksoi ai. /InLajmi/