Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me ngjarjen ku 5 meshkuj dyshohet të kenë dhunuar vajzën 11 vjeçare në Prishtinë, ndërsa një veprim të tillë ajo e quan akt çnjerëzor për çka kërkon edhe hetim rigoroz dhe përgjegjësi për akterët e veprës, përcjell InLajmi.
E prekur thellë me veprimin çnjerëzor, Osmani shprehet se askush nuk është mbi ligjin dhe se ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës, por në rastin ku cak është fëmija ndëshkimi duhet të jetë më i lartë.
“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës. Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, tha Osmani.
E para e shtetit ka thënë se dhunimi seksual sikur edhe format tjera të dhunës ndaj vajzave dhe grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe është plagë serioze e shoqërisë, prandaj ka shtuar Osmani se kryerësit e kësaj vepre të shëmtuar duhet të marrin dënimin e merituar.
Presidentja Osmani shprehet se si shoqëri nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.
“Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve”, është shprehur e para e shtetit Vjosa Osmani.
Ajo krejt në fund të reagimit ka bërë thirrje kolektive që të kujdesemi dhe t’iu garantojmë jetë të dinjitetshme fëmijëve tanë.
“Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”,tha Osmani. /InLajmi/.