Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borell u shpreh besimplotë për zgjidhjen e problemit për targat mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për transmetuesin publik austriak ORF, Borrell theksoi se paqja në këtë rajon është shumë e brishtë, por se marrëveshja për lirinë e udhëtimit është një hap pozitiv.
“Ne operojmë në modalitetin e parandalimit të krizës. Kriza mund të kishte shpërthyer më një shtator nëse nuk do të kishim arritur një marrëveshje për kalimin e kufinjve. Ky është një lajm i mirë. Jam i bindur se ne mund ta zgjidhim edhe çështjen e targave” tha ai, shkruan Euronews Serbia.
Të shtunën, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Tashmë qytetarët e 2 vendeve mund të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre, transmeton Euronews.al.
Ndërsa, më një shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.