Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka komentuar marrëveshjen e arritur dje mes Kosovës dhe Serbisë për lëvizjen e lirë, përcjell InLajmi.
Lladrovci meritën e kësaj marrëveshje nuk ia lë Kurtit, pasi sipas tij kjo marrëveshje është arritur që 11 vjet më parë.
Kryetari i Drenasit komentoi edhe ndryshimin e narratives politike të Kurtit, i cili më herët thoshte se nuk do të bënte asnjëherë marrëveshje me Serbinë, duke theksuar në mënyrë indirekte se pararendësit e Kurtit quheshin “tradhtarë”.
Tutje Lladrovci duke iu referuar Qeverisë së Kosovës si “të vonuar në politikë”, thotë se këta do ta kuptojnë tani se në çfarë pozite ishin pararendësit, udhëheqës të kësaj Republike, nga Rambujeja e këndej.
Ai thekson se pa amerikanë, asnjë e drejtë jona, nuk është e mundur të realizohet, as dje, as sot, as nesër.

Postimi i plotë i tij:
Të jesh sot politikan, është e lehtë, burrështetas, pak ma ngadal. Vetëm burrështetasit i përballojnë fyerjet e linçimet, pa drojë për veprimet e veta largpamëse, kjo u pa dje, pas 11 vjetëve. 11 vjet zi e terr, për tri orë, u zbardh e vërteta.
Më në fund, do të duhej ta kuptonin të gjithë të vonuarit në politikë se në çfarë pozite ishin pararendësit, udhëheqës të kësaj Republike, nga Rambujeja e këndej. Fati ynë, ishte e drejta jonë, me prijës guximtarë në orët më të rënda për Kosovën, me miq të dëshmuar dhe partneritet besnik.
Këto marrëveshje teknike, janë barrikada të vogla para çështjes madhore, njohjes së ndërsjellë. Pavarësisht qëndrimit meskin për çështjet madhore, disa politikanë më në fund do ta ndryshojnë narrativën politike, do të bëjnë marrëveshje me zëdhënësin e Millosheviqit, por nuk do të quhen tradhtar.
Më e vlefshmja, pas luftës tonë çlirimtare, shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të GjND-së, do të jetë fitorja diplomatike me marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e varur nga prania aktive amerikane në proces. Pa amerikanë, asnjë e drejtë jona, nuk është e mundur të realizohet, as dje, as sot, as nesër.
Të vetëkënaqurit me arritjen e djeshme, le ta ruajnë optimizmin për avancimin e shtetit tonë deri në fund, historia e Kosovës as ka filluar, as mbaron me këtë marrëveshje. Kosova është storje suksesi, Kosova është zemër! /InLajmi/