Lutfi Haziri, Nëkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se përafrimi i qëndrimeve të SHBA-BE për arritjen e marrëveshjes finale në dialogun Kosovë-Serbi ka krijuar një moment të ri i cili duhet të jetësohet nga Kosova, përcjell InLajmi.
Haziri, ka theksuar se ky moment i ri poltik përçon mesazhin se duhet të ndalet retorika e luftës sepse jo gjithë krijohen të tilla rrethana politike ku faktori ndërkombëtar bën zgjidhje ndaj kërkesave që janë për njohje reciproke.
Ish-kryetari i Gjilanit, ka kritikuar Qeverinë se nuk ka gadishmëri të kapitalizojë momentin e ri për finalizim të dialogut me njohje reciproke për mungesë të kapaciteteve.
Ai kërkon urgjentisht dialog të brendshëm të të gjithë akterëve politik, për ti dhënë siç thotë Haziri, “oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës”.
Postimi i plotë i tij:
Përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet.
Në këtë fazë, mesazhi është që duhet të ndalet retorika e luftës, retorika që sjell konflikt, sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokusi ndërkombëtar po çon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke, pa opsion tjetër.
Por, fatkeqësisht qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për këtë sepse ka pasiguri e mungesë kapacitetesh në këtë përbërje që e ka.
Është nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm për këtë me pjesëmarrje të pozitës e opozitës dhe shoqërisë civile. Krejt kjo për t’i dhënë oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës. /InLajmi/