Kryeministrja aktuale dhe mandatarja për përbërjen e qeverisë së re të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar të dielen se Beogradi është i kënaqur me marrëveshjen me Prishtinën për letërnjoftimet.
Shefja e ekzekutivit të Serbisë ka thënë se marrëveshja e arritur është ajo brenda kufijve të asaj që mund të pritej, dhe se “nuk kishte vend për manovrim” dhe se nga një shtatori po hyjmë në një periudhë të paqëndrueshmërisë së madhe sepse nuk u arrit marrëveshje për targat.
“Si burrështetas serioz, Aleksandar Vuçiq tha se nuk është i kënaqur me marrëveshjen e vitit 2011, se nuk është në interesin më të mirë të Serbisë dhe serbëve në Kosovë dhe ju si shtet serioz duhet t’i zbatoni marrëveshjet ndërkombëtare’, tha Bërnabiq në TV Prva.
Sipas saj, presidenti Vuçiq me këtë rast arriti ti mbrojë serbët e Kosovës.
“Vuçiq arriti të krijojë situatën më të mirë të mundshme për serbët në Kosovë, t’i mbrojë ata dhe t’u mundësojë një jetë sa më normale dhe vazhdimin e pranisë së Serbisë në Kosovë”, deklaroi Bërnabiq, shkruan Klan Kosova.
Kryeministrja Bërnabiq tha të dielën se të gjitha kapacitetet e Serbisë duhet të përqendrohen në Kosovë në shtator, për të parandaluar çdo lloj dhune dhe për të siguruar paqen dhe se kjo, sipas saj, është prioritet.