Ministri i Financave të Francës tha më 27 gusht se shteti do të bëjë gjithçka që të mos rriten çmimet e rrymës, teksa çmimet në mbarë Evropën janë duke u rritur.
Qeveria në Paris ka vendosur çmim tavan për të mbrojtur amvisëritë deri më 31 dhjetor dhe ministri i Financave, Bruno Le Maire, tha se vitin e ardhshëm pritet të ketë një “rritje të kontrollueshme” të çmimeve.
“40% i çmimit tavan do të mbetet në fuqi deri në fund të vitit”, tha ai gjatë një konference për media në qytetin Metz.
Le Maire tha se ndarja e 3 miliardë dollarëve për bizneset nuk do të jenë të mjaftueshme për të mbuluar faturat e tyre të energjisë, por do t’i ndihmojë bizneset.
“Nuk do të ketë mbulim të çmimeve tavan në vitin 2023”, u zotua ai pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, më herët gjatë javës paralajmëroi për rritjen e çmimeve.
Gjatë kësaj jave, çmimet evropiane të energjisë kanë arritur në një rekord të ri, teksa Evropa po bëhet gati për një dimër të vështirë pasi rritja e çmimeve është nxitur nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.
Por, lufta në Ukrainë nuk është fajtorja e vetme për gjendjen në Francë, shtet që përmes energjisë bërthamore mbulon rreth 70% të nevojave të energjisë.
Mbyllja e disa reaktorëve për shkak të problemeve me korrozion ka kontribuar që Franca të përballet me rritje të çmimeve të energjisë.
Tradicionalisht një eksportuese e energjisë, tani Franca është shndërruar në një importuese.
Edhe Britania po ashtu po përballet me rritje të madhe të çmimit të energjisë. Rregullatori i energjisë britanike, Ofgem, paralajmëroi se çmimet mesatare për amvisëritë do të rritën për 3.549 funte nga një tetori.
Çmimet e energjisë në Evropë janë rritur teksa Rusia ka nisur të kufizojë furnizimet me gaz natyror dhe është rritur frika se Moska do të mund të kufizojë edhe më tej dërgesat e saj të energjisë për shkak të rritjes së tensioneve midis Moskës dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë, shkruan REL.
Një e 5-ta e elektricitetit evropian gjenerohet nga termocentralet me gaz. Çmimi për gaz në Evropë të premten ka arritur në 34 euro për megavat, pothuajse sa niveli më i lartë që u shënua në mars, kur atëbotë një megavat kushtoi 345 euro.