Pakistani ka shpallur emergjencë kombëtare dhe i ka bërë thirrje ushtrisë për të ndihmuar administratën civile në operacionet e ndihmave dhe shpëtimit, pasi numri i të vdekurve nga incidentet e lidhura me shiun kaloi numrin 900.
Sipas zyrës së kryeministrit, vendimi u mor të enjtën vonë në një takim 3 orësh pasi autoritetet thanë se nga përmbytjet janë prekur mbi 30 milionë njerëz në mbarë vendin, me shumicën prej tyre të zhvendosur pasi shtëpitë e tyre u dëmtuan nga shirat e dendur duke shkaktuar përmbytje të shpejta.
Gjatë takimit, kryeministri Shehbaz Sharif vendosi të dërgojë trupat nga ushtria e Pakistanit për të ndihmuar administratën civile me operacionet e ndihmës dhe shpëtimit.
“Kryeministri thërret një konference emergjente të të dërguarve të huaj me bazë në Islamabad për të kërkuar ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Gjatë 24 orëve, të paktën 34 persona humbën jetën dhe 50 të tjerë u plagosën si pasojë e përmbytjeve dhe incidenteve të lidhura me shiun.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive, deri më tani gjithsej 937 persona kanë humbur jetën, përfshirë 343 fëmijë dhe 198 gra, ndërsa mbi 1.300 të tjerë janë plagosur që nga mesi i muajit qershor.
Si pasojë e përmbytjeve po ashtu u dëmtuan 670.328 shtëpi dhe rreth 3 mijë kilometra rrugë, si dhe u shkatërruan 122 dyqane dhe 145 ura.
Ministrja e Klimës, Sherry Rehman, u tha në konferencë përfaqësuesve të agjencive donatore ndërkombëtare se reshjet e fundit të shiut tejkaluan mesataren 30-vjeçare.
Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare dhe institucionet financiare kanë paralajmëruar një ndihmë të menjëhershme prej mbi 500 milionë dollarë për të prekurit nga përmbytjet pas apelit të kryeministrit për ndihmë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas zyrës së kryeministrit, për viktimat nga përmbytjet Banka Botërore ka paralajmëruar 350 milionë dollarë, Programi Botëror i Ushqimit 100 milionë dollarë, Banka Aziatike për Zhvillim 20 milionë dollarë dhe Ndihma e Mbretërisë së Bashkuar mbi 40 milionë dollarë.