Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski thotë se është shumë e vështirë të arrihet shumicë e 2 të 3-ve për ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare.
Pendarovski në një intervistë për agjencinë e lajmeve Anadollu është shprehur skeptik se opozita aktuale në Kuvend ka disponim për të votuar ndryshimet kushtetuese.
Ai konsideron se qëndrimi i opozitës është i imponuar nga logjika e brendshme partiake. Sipas tij, në dokumentet e nënshkruara deri më tani me Bullgarinë nuk ka rrezik për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Kreu i shtetit theksoi se nuk është i kënaqur me procesin e deritanishëm të integrimit evropian të vendit, për shkak të faktit se duhej të pritet 17 vite për fillimin e negociatave me BE-në, shkruan Alsat.mk.
“Nuk mund të detyrosh askënd, nëse opozita aktuale mendon se këto dokumente janë rrezik për popullin maqedonas. Unë nuk mendoj kështu. Vlerësimi im është se do të jetë shumë e vështirë të arrijmë 2 të 3-ve në këtë përbërje parlamentare pasi që, me sa mund të gjykoj unë, opozita në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut e lexon marrëveshjen me Bullgarinë, përkatësisht kornizën negociuese me BE-në, përmes dioptrisë partiake”, deklaroi Stevo Pendarovski.