Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj pretendimit të ambasadës ruse lidhur me mosvënien në dijeni të kësaj të fundit për 2 shtetasit rusë të kapur pranë uzinës së Gramshit.
Sipas ministrisë, nota verbale e ambasadës rusë ka mbërritur në 23 gusht pasdite dhe në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente.
MEPJ deklaron se të gjitha veprimet lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, sipas të cilës autoritetet e njoftojnë ambasadën vetëm nëse e kërkojnë të ndaluarit.
“Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre 2 shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre”, thuhet në reagim.
3 ditë më parë, ambasada ruse reagoi për Euronews Albania lidhur me incidentin që ndodhi në Gramsh, ku ishin të përfshirë edhe 2 shtetas.
Ambasada tha se nuk kishte marrë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim.

Sipas trupës diplomatike ruse në vend, i është dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për t’i vënë në dijeni për detajet e ngjarjes.
Incidenti në Gramsh:
2 shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues 2 ushtarët shqiptarë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 3 të arrestuarit për akuzat “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.