Ish ministrja e Ministrisë së Financave, Hykmete Bajrami, thotë se kryeministri Kurti duhet të gjejë zgjidhje të shpejt për grevistët e jo të konfrontohet me ta, përcjell InLajmi.
Ky reagim i deputetes së LDK-së vjen, pasi qeveria ka paralajmëruar punëtorët e dikastereve qeveritare se do të penalizohen me pagën mujore nëse i përgjigjen thirrjes së sindikatave për grevën e përgjithshme e cila ka filluar të enjten.
Ekonomistja, Bajrami tha se në vend se qeveria të mendoj për zgjidhje, ajo konfrontohet me grevistët, duke theksuar se rruga e zgjedhur e qeverisë për të ndaluar grevën me ‘ndëshkime’, financiare është e gabuar.
Madje Bajrami shprehet se ‘ndëshkimi’ me paga është vepër penale dhe nuk përkon me shtetin demokrati siç është Kosova.
Bajrami, ka kujtuar kohën kur partia në pushtet, dikur si opozitë ishte mbështetëse e grevave, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë që të ulet dhe të bisedojë me sindikalistët e të gjejnë zgjidhje për përfundimin e grevës.
Sipas saj, zgjatja e grevës do të jetë dëm i madh dhe i pa riparueshëm.
Postimi i plotë i saj:
Partia në pushtet, Qeveria dhe Kurti duhet të gjejnë zgjidhje e jo të konfrontohen me grevistë
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dikur përkrahëse e secilës grevë në sektor publik e privat, duhet të gjejë zgjidhje shpejt për grevën e nisur sot sepse dëmi nga zgjatja e grevës mund të jetë i parikuperueshëm.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistet, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës.
Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar.
Tash, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme. Kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti. Edhe ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova. Ne kemi në fuqi Ligjin për Grevat, i cili i ka dhënë të drejtë punëtorit të organizojë grevë të ligjshme dhe i ka dhënë mbrojtje se askush s’mund të marrë masa ndaj tij pse ka hyrë në grevë të ligjshme. Ndëshkimet përmes komisarëve dhe komisariateve mund t’i bëjnë vetëm në parti por jo edhe në Qeveri.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti kanë mbetur te tema e tabelave dhe nuk po merren me asnjë problem tjetër. As me problemin e arsimit. As me problemin e energjisë. As me problemin e ekonomisë. As me problemin e shëndetësisë.
Në vend të zgjidhjeve, Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur të mos flasin për asnjë temë tjetër përveç për tabela dhe për takime me Vucicin, dikur prioritet i fundit.
Shih paragrafin 2 të nenit 11 të Ligjit Nr. 03/L-200 për Grevat. /InLajmi/