Njësoj si menstruacionet, edhe menopauza është periudhë normale e jetës së çdo gruaje. Ndodh kur me kalimin e moshës nivelet e estrogjenit nisin të ulen. Sidoqoftë, nëse jeni duke përjetuar simptoma të vështira për t’u përballuar është e rëndësishme të jeni në kontakt me një gjinekolog.
Kjo periudhë shoqërohet me shumë mite dhe të pavërteta që shpesh ju konfuzojnë dhe shqetësojnë pa qenë fare e nevojshme. Për çfarë e kemi fjalën konkretisht, e mësoni në vijim.
- “Nëse keni afshe, probleme me kujtesën apo shtim peshe, ju ka filluar periudha e menopauzës.”
Nuk është e thënë. Në fakt, afshet e shpeshta apo simptoma të tjera të pakëndshme si këto zakonisht nisin shumë më herët sesa menopauza, në perimenopauzë. Thënë këtë, duhet të dini se menopauza nuk shkakton shtim peshe apo probleme me memorien.
- “Menopauza fillon gjithmonë sapo hyni në të 50-at.”
Ti mund të jesh në menopauzë edhe nëse je në të 30-at e tua. Kjo varet nga gjenetika, nga ilaçet që mund të jesh duke marrë, substancat që konsumon, etj, etj. Ndonëse mesatarisht nis rreth të 50-ave, disa gra e përjetojnë edhe në të 40-at e tyre.
- “Gjatë periudhës së menopauzës s’ke më dhimbje barku.”
Para se të hysh zyrtarisht në periudhën e menopauzës, mund të keni dhimbje në fundin e barkut edhe nëse nuk jeni me perioda. Muskujt dhe muret e mitrës mund të shtypen dhe shkaktojnë acarim, por duke mbajtur diçka të ngrohtë dhimbja mund të reduktohet. Nëse kjo e fundit bëhet e padurueshme, e mira është të shkoni tek mjeku.
- “Nuk mund të mbeteni shtatzënë nëse jeni në prag të menopauzës.”
Është e vërtetë që me kalimin e moshës, shanset për të mbetur shtatzënë dalëngadalë reduktohen. Gjithsesi, gratë vazhdojnë të ovulojnë akoma para menopauzës, edhe nëse s’kanë pasur perioda për pak kohë.
- “Nëse për disa kohë me radhë nuk ke perioda, të ka filluar menopauza.”
Duhet një vit i plotë pa perioda për të qenë të sigurtë se periudha e menopauzës ka nisur. Prandaj prisni. Nëse gjatë 12 muajve, keni qenë me perioda për disa muaj, por jo shumicën e kohës, s’mund ta thoni me siguri që keni hyrë në menopauzë.”
- “Simptomat e saj zgjasin përgjithmonë.”
Kur arrini në fazën e menopauzës, nivelet e estrogjenit ulen dhe kur kjo ndodh trupit i duhet kohë për t’u mësuar me ndryshimin. Simptomat qëndrojnë gjatë, por sigurisht që jo përgjithmonë. Zakonisht zgjasin nga 4 vite e gjysmë pas ikjes së periodave, deri në 7 vite maksimalisht. Sidoqoftë, çdo njeri është ndryshe dhe për disa zgjat më shumë, e për të tjerë më pak.
- “Menopauza shkakton depresion.”
Ka një ndryshim të madh mes depresionit klinik dhe ndryshimeve të humorit që vijnë si pasojë e menopauzës. Depresioni është një lloj çrregullimi mendor që ka nevojë për trajtim, ndërsa ndryshimet e humorit apo ndjesitë e trishta janë më të menaxhueshme. Nëse vazhdojnë për një kohë të gjatë duke u kthyer në gjendjen tuaj të përhershme, është i nevojshëm konsultimi me një mjek, shkruan AnabelMagazine.
- “Është vonë të qëndrosh e shëndetshme pas fazës së menopauzës.”
Gjithmonë është e rëndësishme të qëndrosh e shëndetshme, pavarësisht moshës. Merrni shumë vitaminë D dhe kalçium, hiqni dorë nga duhani, alkooli dhe bëni aktivitet sportiv. Sigurohuni të kujdeseni gjithashtu me prioritet për shëndetin mendor.