Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari foli edhe për Kishat dhe Manastiret serbe në Kosovë.
“KFOR është përgjegjës për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe është objekti i fundit për të cilin kujdesemi ne, të tjerat i janë dorëzuar Policisë së Kosovës, dhe ata po bëjnë një punë të shkëlqyeshme për mbrojtjen e këtyre objekteve fetare, si dhe të sigurisë e qetësisë atje”, tha Kajari.
Ai thotë se KFOR-i do të jetë përgjegjës për Manastirin e Deçanit deri te një vendim për dorëzimin e tij te Policia e Kosovës apo autoritete të tjera.
“Po e përsëris se gjatë komandimit tim nuk kemi pas asnjë kërcënim fizikë ndaj Manastirit dhe nuk na është dashtë të angazhohemi që t’i aktivizojmë trupat tona për siguri në atë zonë”, tha Kajari.
Komandanti i KFOR-it foli edhe për bashkëpunimin me Forcat e Sigurisë së Kosovës brenda mandatit që ka, siç është largimi i mjeteve shpërthyese, ndihma humanitare dhe kërkim shpëtimit, shkruan RTK.
“Është treguar shumë herë se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë shumë të afta në zbatimin e detyrave të veta”, tha Kajari.