Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kritikon krerët e shtetit për deklaratat e tyre për luftë e dimër me krizë energjetike në opinion, ndërsa ka shtuar se me këtë qasje ata po mbjellin frikë e pasiguri tek populli, përcjell InLajmi.
Sipas AAK-së, liderët e shtetit nuk kanë detyrë të mbjellin frikë e pasigurisë, por kanë detyrë të punojnë në ndërtimin e shtetit dhe për mirëqenien e qytetarëve.
Partia opozitare me liderin Ramush Haradinaj, thekon se liderët e shtetit në vend se të ankohen, të bëjnë zgjidhje për çështjet madhore e jo të provojnë shpërqëndimin e qytetarëve në tema me pak rëndësi për ta.
AAK-ja, pas kritikave ndaj qeverisjes aktuale, lavdëron kreun e saj, duke kujtuar kështu se në mandatin e tij qeverisës Ramush Haradinaj kishte punuar me seriozitet, gjë që edhe krijoji ushtrinë e Kosovës e cila së bashku me NATO-n, garantojnë paqe e stabilitet.
Njoftimi i plotë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:
Liderët shtetëror e kanë për detyrë me punu për qytetarët dhe për shtetin e Kosovës. Ata nuk duhet të mbjellin frikë, traumë e pasiguri te populli, sepse kjo nuk është ajo që kërkohet nga ta.
Temat për luftën, për dimrin e vështirë energjetik, për vjeshtën e rëndë shëndetësore, nuk duhet të ekzistojnë në fjalorin e kryeministrit dhe ndonjërit ministër të kabinetit qeveritar. Këta të fundit janë me ofru zgjidhje për secilën temë.
Kujtojmë se mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar të sigurisë në botë ishin skeptike sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës, por kryeministri Haradinaj në vend që të fliste për rreziqet, iu përvesh punës për krijimin e ushtrisë, pa zhurmë e gjithnjë në koordinim me ShBA-të.
Sot Kosova ka ushtrinë falë punës dhe seriozitetit të kryeministrit Haradinaj.
Pra, institucionet e Kosovës, liderët shtetëror duhet të prodhojnë zgjidhje për tema të rëndësishme, jo të ankohen, jo të bëjnë përpjekje me shpërqëndru vëmendjen prej disa temave në disa tjera.
Ushtria e Kosovës bashkë me NATO-n, janë garantuese të paqes në Kosovë dhe në rajon. Sa më shumë që po forcohet dhe bëhet më profesionale FSK, aq më shumë rriten shanset të kemi një paqe më të qëndrueshme. /InLajmi/